fbpx
logo

Koment mbi Ligjin për ndërmarrjet publike dhe shoqëritë tregtare në pronësi, ose me pjesëmarrje, të Republikës së Maqedonisë së Veriut

Agjenda reformuese për Republikën e Maqedonisë së Veriut parashikon një paketë reformash për menaxhimin e ndërmarrjeve publike dhe të shoqërive tregtare në pronësi shtetërore, duke përfshirë përgatitjen e një ligji të ri, një strategjie dhe një regjistri. Sipas sekuencës së parashikuar, këto masa duhet t’i paraprijnë ristrukturimit të sektorit postar dhe hekurudhor.

Çështjet që, në përputhje me Agjendën Reformuese, duhet të përfshihen në ligj dhe në strategji përfshijnë zgjedhjen e bordeve drejtuese dhe mbikëqyrëse, publikimin e raporteve financiare, menaxhimin e rreziqeve dhe përcaktimin e treguesve kyç të performancës.

Instituti për Demokraci “Societas Civilis” (IDSCS), nga ana e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës (MEP), u ftua të marrë pjesë në grupin e punës për hartimin e ligjit dhe të strategjisë për ndërmarrjet publike dhe shoqëritë tregtare në pronësi ose me pjesëmarrje të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në tetor të vitit 2025. Në janar 2026, u botua një projektligj për ENER[3], dhe brenda grupit të punës për disa versione të propozim – ligjit, u paraqit një tekst i ndryshuar më 23 qershor 2026, i cili, sipas MEP, është një tekst i harmonizuar me Bashkimin Evropian. Ky version i ligjit nuk u diskutua në mënyrë thelbësore brenda grupit të punës. Ligji u miratua me procedurë të shkurtuar në Kuvend, më 30 qershor 2026, pa debat të duhur publik[4]. Qëndrimet e paraqitura në këtë dokument, në masë të madhe, janë shprehur dhe mbrojtur nga ana jonë edhe në kuadër të grupit të punës, duke pasur parasysh se versioni i miratuar i ligjit nuk dallon në mënyrë thelbësore nga versionet e mëparshme.

Ligji vendos objektiva financiare dhe jofinanciare, rrit transparencën financiare dhe përmirëson kontrollin e brendshëm dhe revizionin te ndërmarrjet publike dhe shoqëritë tregtare në pronësi ose me pjesëmarrje të shtetit, ndërsa parashikon edhe detyrimin për mbajtjen e një evidence të detajuar dhe publike të ndërmarrjeve publike dhe shoqërive tregtare në pronësi shtetërore, përfshirë edhe pjesëmarrjet minoritare, gjë që përbën një risi të rëndësishme dhe pozitive.

Ligji, nga ana tjetër, prezanton një instrument të ri të quajtur politika e të drejtave të pronësisë, duke iu referuar udhëzimeve të OECD-së për qeverisjen e korporatave të ndërmarrjeve shtetërore. Këto standarde rekomandojnë që pronari shtetëror të miratojë dhe publikojë një politikë pronësie dhe të rishikojë rregullisht justifikimin e çdo pronësie individuale.

Sipas ligjit të miratuar, shteti duhet të arsyetojë pronësinë ose pjesëmarrjen e tij, duke iu referuar të paktën njërit prej kritereve për pronësi dhe pjesëmarrje, siç janë: menaxhimi i të mirave me interes të përgjithshëm, menaxhimi i infrastrukturës dhe rrjeteve shpërndarëse në të cilat infrastruktura fizike përbën monopol natyror, veprimtaria afariste që përfshin ofrimin e shërbimeve publike, ndikimi mbi buxhetin e shtetit, ushtrimi i aktiviteteve tregtare që kontribuojnë në stabilitetin dhe zhvillimin e ekonomisë, si dhe veprimtari të tjera me interes publik. Në rastet kur shteti nuk mund të arsyetojë pronësinë ose aksionet, ai duhet të lërë strukturën e pronësisë ose pjesëmarrjen në ato subjekte juridike, pra t’i tjetërsojë ato. Ligji parashikon detyrimin e shtetit për të rishikuar politikat e të drejtave të pronësisë të paktën çdo 4 vjet. Zgjidhje të ngjashme, gjithashtu të lidhura me Agjendën Reformuese për Ballkanin Perëndimor, vërehen edhe në ligjet e miratuara së fundmi në vende të tjera kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Megjithatë, vërejtjet e mëposhtme tregojnë se ligji nuk siguron garanci të mjaftueshme institucionale kundër rreziqeve të keqpërdorimit, të dokumentuara në përvojën maqedonase me transformimin e pronësisë, por njëkohësisht e vënë në dyshim edhe nevojën për tjetërsim, nëse përdoren argumente si mungesa e rentabilitetit dhe menaxhimi i dobët.



Lexoni dokumentin e plotë më poshtë:
Koment mbi Ligjin për ndërmarrjet publike dhe shoqëritë tregtare në pronësi, ose me pjesëmarrje, të Republikës së Maqedonisë së Veriut

 


 

Ky dokument për politika publike është pjesë e projektit “Nxitja e debatit mbi llogaridhënien dhe anti-korrupsionin“, i cili synon të kontribuojë në proceset e reformave në Maqedoninë e Veriut duke forcuar rolin e Kuvendit në luftën kundër korrupsionit dhe krijimin e reformave në sundimin e ligjit, duke mundësuar dialogun midis partive dhe të rinjve, si dhe midis deputetëve dhe shoqërisë civile. Projekti është mbështetur nga Fondi Kombëtar për Demokraci.

Настани поврзани со проектот

Поврзани објави