Qendrat e hetimit luajnë rol kryesor në suksesin e zbatimit të konfiskimit të pronës. Ato zbulojnë rrjedhën e parave, marrin pjesë në veprimet hetimore, mbledhin prova dhe punojnë nën kompetencën e prokurorëve publikë. Mungesa e burimeve të nevojshme dhe kapaciteteve profesionale me të cilat ballafaqohen, ndikon ndjeshëm në cilësinë e hetimeve financiare dhe konfiskimit të pronës, duke marrë parasysh rolin e tyre operacional. Së këndejmi, mospërputhjet më të mëdha në zbatimin e konfiskimit, përkatësisht mbledhjen e provave, monitorimin e rrjedhës së parave dhe ngjashëm janë pikërisht në domenin e punës së qendrave hetimore. Ky mosfunksionim pengon zbatimin efektiv të masës së konfiskimit, si dhe parandalimin e përdorimit të mjeteve për veprimtari kriminale, gjë që ndikon ndjeshëm në suksesin e luftës kundër korrupsionit në tërësi.
Prandaj, forcimi i kapaciteteve të qendrave hetimore është çelësi i suksesit të zbatimit të konfiskimit të pronës dhe luftës kundër korrupsionit. Për arritjen e objektivave të Strategjisë për forcimin e kapaciteteve për kryerjen e hetimeve financiare dhe konfiskimit të pasurisë, duhet të ndërmerren hapa sa më shpejt që të jetë e mundur për ekipimin e qendrave hetimore me numrin dhe profilin e duhur të personelit. Përveç punësimeve të nevojshme, është e rëndësishme që personeli në qendrat e hetimit të jetë i përgatitur për të kryer në mënyrë të pavarur çdo pjesë të hetimit financiar. Në këtë drejtim nevojiten investime në edukimin e mëtutjeshëm dhe aftësimin profesional të personelit për të fituar aftësitë dhe ekspertizën e nevojshme.