Pavarësia dhe profesionalizmi i gjyqësorit nuk janë të rëndësishme vetëm nga prizmi i të drejtave të njeriut, siç është e drejta për gjykim të drejtë dhe të barabartë, por përfaqësojnë një komponent jashtëzakonisht të rëndësishëm të shteteve moderne demokratike, për shkak të ndikimit të tyre në sundimin e ligjit. Prandaj, shtetet kanë ndërmarrë një sërë hapash në nivel global për të siguruar garanci themelore të pavarësisë së sistemit gjyqësor. Duke njohur ndërlidhjen dhe kushtëzimin e profesionalizmit dhe pavarësisë së sistemit gjyqësor, rekomandime të tilla i referohen mundësisë dhe lirisë së shprehjes dhe asociimit që gëzojnë gjyqtarët, trajnimet bazë dhe trajnimet e vazhdueshme, kushtet dhe procedura e përzgjedhjes, avancimi në detyrë dhe përgjegjësitë, si dhe mandati, imuniteti dhe kushtet për ushtrimin e profesionit. Në mënyrë të ngjashme, janë ndërmarrë hapa në nivel rajonal, të cilat, përveç përfshirjes së rekomandimeve për pavarësinë e gjyqësorit, atyre tashmë ekzistuese u shtohen marrëdhëniet dhe kushtëzimi i ndërsjellë i pushtetit gjyqësor, legjislativ dhe ekzekutiv. Këto rekomandime tregojnë lidhjen e ngushtë dhe kushtëzimin e ndërsjellë të pavarësisë së gjyqësorit me profesionalizmin dhe cilësinë e gjyqësorit në tërësi.
Me fjalë të tjera, sa më i pavarur të jetë gjyqësori nga pushteti ligjvënës dhe ekzekutiv, aq më shumë ka gjasa që ai të jetë me cilësi më të mirë, dhe nga ana tjetër, cilësia dhe profesionalizmi i gjyqtarëve dhe aktorëve të tjerë në sistemin gjyqësor kontribuon në mënyrë të pashmangshme në forcimin e pavarësisë dhe rezistencës së tij ndaj ndikimeve të jashtme dhe të papërshtatshme në gjyqësor. Pavarësia dhe profesionalizmi i sistemit gjyqësor janë të lidhura ngushtë me luftën kundër korrupsionit, pasi pavarësia dhe profesionalizmi jo vetëm që nënkuptojnë rezistencën e gjyqtarëve dhe sistemit gjyqësor në tërësi ndaj ndikimeve të korrupsionit dhe shfaqjes së korrupsionit dhe konfliktit të interesit në gjyqësor, por gjithashtu ndikojnë në efektivitetin e përpjekjeve të shtetit për të parandaluar dhe çrrënjosur korrupsionin.