Lufta kundër korrupsionit duhet të marrë parasysh edhe efektet që mund të ketë mbi sigurinë kombëtare. Në këtë drejtim, është veçanërisht e rëndësishme vendosja e sanksioneve të synuara, sipas shembullit të SHBA-së, ndaj individëve të përfshirë drejtpërdrejt në vepra të korrupsionit. Sanksionimi i individëve nëpërmjet ndalimit të hyrjes në një shtet dhe qasjes në sistemin e tij financiar, gjë që mundëson Akti Global “Magnitski”, është një mjet i fuqishëm për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Aq më tepër, kjo qasje mundëson shënjestrimin e personave drejtpërdrejt fajtorë për akte të korrupsionit në nivel të lartë dhe shkeljen e të drejtave të njeriut dhe thekson se individët mbajnë pasoja për veprat e tyre edhe në sferën ndërkombëtare. Është veçanërisht e rëndësishme që kriteri bazë për sanksionimin sipas këtij ligji është që personat të jenë funksionarë publik aktualë apo të mëparshëm, të cilët në Ballkanin Perëndimor shumë shpesh nuk vuajnë dënimin për veprat që dyshohet se kanë kryer.
“Lista e zezë” të cilën SHBA-ja, filloi të krijojë për personat nga Ballkani Perëndimor të përfshirë në akte të korrupsionit të lartë, duhet të njihet si një mundësi për të forcuar përpjekjet e brendshme kundër korrupsionit. Autoritetet kombëtare duhet të tregojnë gatishmëri për t’iu bashkuar sanksioneve globale ndaj personave që, me pjesëmarrjen e tyre në korrupsion, veprojnë në mënyrë korrozive në vende që janë partnerë tanë dhe ndjekin shembullin e SHBAsë, Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së. Edhe më e rëndësishme se kjo është që autoritetet të ndërmarrin veprime dhe të sanksionojnë aktorët vendas të korrupsionit në kohën e duhur, duke demonstruar kështu gatishmërinë për të luftuar korrupsionin, në vend që të presin që partnerët ndërkombëtarë të zgjidhin problemin. Në këtë mënyrë shteti do të tregojë se është aleat në luftën kundër korrupsionit dhe do t’i bashkohet përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare për t’u përballur me korrupsionin në shtet.
Korrupsioni dhe siguria kombëtare: Si përfundon dikush në listën e zezë të SHBA-ve?