Në pajtim me nenin 67 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, seancat e Kuvendit i konvokon kryetari i Kuvendit. Në bazë të nenit 68, deputetët duhet të pranojnë aktvendimin për konvokimin e seancës së Kuvendit, së bashku me rendin e ditës të propozuar dhe materialet me çështjet e propozuara për rendin e ditës të seancës, së paku dhjetë ditë pune para datës së caktuar për mbajtjen e seancës. Ekziston mundësia seancat e komisioneve dhe seanca plenare të konvokohen në të njëjtën ditë, por përdorimi i kësaj mundësie duhet të jetë i kufizuar. Në pajtim me nenin 24 të Ligjit për Kuvendin, kryetari i Kuvendit takohet rregullisht çdo të hënë me nënkryetarët dhe koordinatorët e grupeve parlamentare për të koordinuar orarin javor të punës së trupave punues të Kuvendit.
Edhe pse këto dispozita i lënë hapësirë të arsyeshme deputetëve që të përgatiten për temat që do të diskutohen në seancat parlamentare, këto afate nuk respektohen gjithmonë gjatë caktimit të seancave plenare dhe komisioneve. Analiza e cilësisë së debatit në 18 seanca parlamentare të fokusuara në 73 pika të ndryshme të rendit të ditës tregon se nga data e konvokimit deri në datën e mbajtjes së seancave, qoftë të komisioneve apo seancave plenare, deputetët kanë mesatarisht shtatë ditë kohë për t’u përgatitur për pikat e rendit të ditës. Deputetët patën kohën më të madhe për t’u përgatitur për sa i përket seancës plenare numër 71, gjatë së cilës u monitorua diskutimi i zhvilluar për tre pika të rendit të ditës: “Propozimi i ligjit për stabilitetin financiar”, “Propozim – ligji për parandalim të pastrimit të parave dhe financim të terrorizmit”, dhe “Propozim ligji për kryerjen e punëve të kontabilitetit”. Për këtë seancë, ndërmjet datës së konvokimit dhe datës së mbajtjes, deputetët kishin gjithsej 19 ditë për t’u përgatitur. Deputetët patën kohë më së paku për t’u përgatitur për seancën numër 36 të Komisionit për Financa dhe Buxhet, ku u diskutua “Propozimi – ligji për plotësimin e Ligjit për akcizat” dhe “Propozim – ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar”. Për këtë seancë, ndërmjet datës së konvokimit dhe datës së mbajtjes, deputetët nuk kanë pasur fare kohë për t’u përgatitur, ose komisioni është konvokuar dhe është mbajtur në të njëjtën ditë.
Cilёsia e debatit: A ndikon konvokimi i vonuar i seancave, mbi cilёsinё e debatit nё Kuvend?