fbpx
logo

Drejt njё Kuvendi mё efikas dhe konstruktiv pёrmes ndryshimeve procedural

Pjesëmarrja aktive e deputetëve në jetën parlamentare është e një rëndësie të veçantë, prandaj përmirësimi i punës së Kuvendit nënkupton pjesëmarrje aktive të të gjitha partive parlamentare, konsultime përkatëse dhe vlerësim të ndikimit para miratimit të legjislacionit. Zhvillimi i një kulture politike aktive të debatit të argumentuar dhe konstruktiv është i rëndësishëm sepse mundëson miratimin e ligjeve cilësore me rëndësi për qytetarët. Është e nevojshme të kapërcehet kjo situatë për të zhvilluar një kulturë të vërtetë parlamentare me deputetë të përgjegjshëm dhe aktivë.

Keqpërdorimet procedurale shqetësuese mund të parandalohen duke ndryshuar rregullat procedurale, përkatësisht përmes vendosjes së dispozitave me të cilat një pakicë e kualifikuar mund të iniciojë prolongim të debatit ose ndërprerje të plotë të debatit. Në të njëjtën kohë, i njëjti mekanizëm nuk duhet të pengojë të drejtën e opozitës për të marrë pjesë në mënyrë efektive në debat. Ky mekanizëm gjithashtu duhet të përdoret vetëm në rastet e formave shqetësuese dhe destruktive të filibusteringut që do të ishte një vlerësim i vetë Kuvendit.

Parandalimi i keqpërdorimit të Rregullores dhe filibasteringut mund të arrihet përmes përfshirjes efektive të opozitës në vetë menaxhimin e Kuvendit. Përcaktimi i numrit të nënkryetarëve mund të kontribuojë në një përfaqësim më të mirë të partive opozitare në udhëheqësinë e Kuvendit. Përveç kësaj, nevojitet një mekanizëm për zgjedhjen e nënkryetarëve me një prag më të ulët për zgjedhje sesa shumica absolute.

Menaxhimi i Kuvendit dhe përcaktimi i rendit të ditës duhet të arrihet me konsensus. Formimi i një trupi kolektiv në të cilin do të përfshihen kryetari, nënkryetarët dhe përfaqësuesit e grupeve politike në Kuvend, do të kontribuojë në kontrollin më efektiv të kompetencave të kryetarit. Ky trup duhet të ketë edhe fuqi vendimmarrëse dhe kompetenca të caktuara.

Së fundi, kur është fjala për tejkalimin e krizave politike “partitë kryesore politike duhet të gjejnë një mekanizëm për të kapërcyer krizat e ardhshme në rastet kur opozita përdor bojkot…”. Në këto raste, interesi i qytetarëve duhet të jetë në rend të parë, para interesit partiak. Në demokracinë deliberative, të gjithë aktorët politikë kanë përgjegjësi të kontribuojnë në procesin e vendimmarrjes efektive në interes të qytetarëve dhe në funksion të mbrojtjes së demokracisë dhe sundimit të së drejtës.

Drejt njё Kuvendi mё efikas dhe konstruktiv pёrmes ndryshimeve procedural

Поврзани објави