logo

Qytetari populist: Pse qytetarët mbështesin liderët dhe politikat populiste në Maqedoninë e Veriut?

Ky studim analizon kërkesën shoqërore për liderë populistë në Maqedoninë e Veriut. Studimi synon të zgjerojë kuptimin aktual të populizmit si një kërcënim për demokracinë përmes adresimit të mungesës së të dhënave për këtë fenomen në demokracitë e pazhvilluara. Duke pasur parasysh pengesat e përgjithshme demokratike në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe numrin në rritje të aktorëve populistë që marrin pushtetin ose zgjerojnë pushtetin e tyre politik, ky studim synon të kuptojë se cilët faktorë socialë, ekonomikë, kulturorë dhe psikologjikë nxisin qëndrimet populiste tek popullsia në një kontekst të tillë.

Tendencat apo qëndrimet populiste të popullsisë si një faktor i mundshëm që kontribuon në përkeqësimin e gjendjes së demokracisë nuk janë hulumtuar gjerësisht në kontekstin e Ballkanit Perëndimor dhe Maqedonisë së Veriut. Ky studim e plotëson këtë boshllëk, duke u fokusuar ekskluzivisht në potencialin e politikës populiste në mesin e popullatës. Duke pasur parasysh gjendjen aktuale të populizmit në rajon, ky studim nxjerr në pah rëndësinë e studimit të arsyeve të mbështetjes në rritje për liderët dhe politikat populiste. Për më tepër, me këtë hulumtim kontribuojmë në kërkimet mbi populizmin ndërmjet vendeve që integrojnë kontekste të ndryshme dhe hulumtime mbi shumë aspekte të populizmit në pjesë të ndryshme të botës, duke mundësuar krahasime kritike në kuptimin e fenomeneve. Si i tillë, ky studim kontribuon në literaturën dhe debatin shkencor në fushën e politikës krahasuese, demokracinë dhe demokratizimit dhe populizmin.

Seksioni i parë i studimit përqendrohet në teoritë dhe kërkimet mbi të cilat është kryer ky hulumtim, ndërsa dizajni metodologjik është shënuar në seksionin e dytë. Në seksionin e tretë, përmes analizës përshkruese, kemi matur tendencën e qytetarëve për të kultivuar ndjenja populiste, ndërsa pjesa e katërt ofron një analizë eksploruese të të dhënave të anketimit për të shqyrtuar lidhjet midis variablit vartës për mbështetje të populizmit dhe karakteristikave të ndryshme të të anketuarit. Seksioni i pestë paraqet analizat e regresionit që janë bërë për të mundësuar vlerësimin empirik të faktorëve kryesorë që ndikojnë në krijimin e qëndrimeve populiste te qytetarët. Në fund, bazuar në të dhënat e siguruara përmes analizës së të dhënave eksploruese dhe analizës së regresionit, autorët diskutojnë “zgjidhje” të mundshme për reduktim të ndjenjës populiste në mesin e popullatës, forcim të mendimit kritik dhe mbështetje të demokracisë.

Në këtë link mund të lexoni të gjithë studimin:

Qytetari populist: Pse qytetarёt mbёshtesin liderёt dhe politikat populiste nё Maqedoninё e Veriut?

Поврзани објави