Sapo ndodh një tërmet, zakonisht shumica prej nesh, kontrollojmë fillimisht në rrjetet sociale apo në faqen e internetit ku regjistrohen tërmetet, nëse vërtet ka ndodhur apo na është dukur.
Në vend që të kontrollojmë fillimisht informacionin në internet për atë që ka ndodhur dhe cili ka qenë intensiteti, reagimi i parë duhet të jetë gjithmonë mbrojtja e vetes dhe e njerëzve tanë të afërm.
Si të mbroheni?
E para është jashtëzakonisht e rëndësishme të qëndroni të qetë dhe të mendoni në mënyrë racionale. Paniku mund të rezultojë në hapa të gabuar dhe efekte anësore të mundshme.
Është e rëndësishme në hapësirën ku ndodheni të dini se cilët janë muret dhe trarët e brendshëm mbajtës dhe menjëherë të qëndroni poshtë tyre, duke mbuluar kokën dhe qafën. Mbani mend! Mos përdorni ashensorin ose shkallët për t’u larguar shpejt nga ndërtesa, as gjatë goditjes dhe as pas përfundimit të tërmetit, deri në informacionin se ashensori ose shkallët janë të sigurta.
Qëndroni larg mureve të jashtme, dritareve, dyerve, dollapëve, burimeve të nxehtësisë, aparateve elektro-shtëpiake, pasqyrave, llambadarëve dhe trupave ndriçues më të mëdhenj të varur dhe ngjashëm, të cilat mund të lëkunden ose lëviznin si pasojë e tërmetit.
Nëse jeni në shtrat dhe nuk keni kohë për strehim, qëndroni në shtrat ndërsa më jastëk dhe duar mbuloni kokën dhe qafën. Nëse mbi shtrat ka llambadar të madh ose poç elektrik, atëherë strehohuni pranë shtratit ose murit të brendshëm, duke mbuluar kokën dhe qafën.
Vendosni shtretërit larg dritareve ose mobileve të mëdha dhe pasqyrave. Për të parandaluar aksidentet, vendosni sende më të rënda në raftet e poshtme dhe ruani sendet që mund të thyhen në dollapë të mbyllur. Mos ruani lëngje të ndezshme ose kimikate afër burimeve të nxehtësisë për të parandaluar zjarrin.
Duhet të keni parasysh se si pasojë e tërmetit, mund të ketë ndërprerje të energjisë, ujit, telekomunikacioneve. Mund të përfshihen gjithashtu alarmet dhe instalimet kundër zjarrit.
Nëse jeni jashtë, strehohuni larg ndërtesave, objekteve, bilbordeve ose pemëve të larta. Në rrethana të tilla, oxhaqet, çatitë apo objekte të tjera kanë më shumë gjasa të bien si pasojë e tërmetit. Prandaj, uluni në tokë dhe mbroni kokën dhe qafën me duar.
Tërmetet kanë ndikimin më të madh potencial për sa i përket humbjeve të jetëve dhe dëmeve afatgjata dhe humbjeve për shoqërinë dhe komunitetet lokale.
Gatishmëria mund të shpëtojë jetë, tonën dhe jetën e të tjerëve rreth nesh.
Informohuni për kushtet në mjedisin tuaj, cilat janë rreziqet, kërcënimet e mundshme në vendin ku jetoni.
Numrat e telefonit për raste urgjente:
Muajin e kaluar u lëshua në përdorim Numri Unik Evropian për thirrje 112 i cili është numër i ri dhe unik për thirrje për ndihmë për çdo lloj rast urgjente dhe gjendje krize.
Numrat e tjerë të telefonit për raste urgjente janë:
- 195 Qendra për Menaxhim me Kriza
- 194 Ndihma mjekësore urgjente
- 193 Njësitë territoriale të zjarrfikësve
- 192 Policia
Instituti për Demokraci “Societas Civilis” – Shkup, përmes projektit “Përmirësimi i kapaciteteve për menaxhimin e krizave të komunave në Maqedoninë e Veriut”, ndihmon komunat në zhvillimin e strategjive dhe planeve për parandalimin dhe menaxhimin e krizave dhe informon qytetarët për mënyrat se si mund të kontribuojnë në reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë.