logo

Hyp se të vrava, zbrit se të vrava: Për nevojën e një konsensusi të gjerë në gjendje pa rrugëdajle

Share on facebook
Share on twitter

Gjatë krizës më të rëndë shëndetësore dhe ekonomike që vendi është përballur në tre dekadat e pavarësisë, tendencat e brendshme politike po marrin një kthesë shqetësuese dhe po e shtyjnë shoqërinë drejt një paqëndrueshmërie të thellë shoqërore, politike dhe ndëretnike. Instituti për Demokraci u bën apel të gjithë aktorëve politikë dhe drejtuesve të partive për sjellje të përgjegjshme dhe shtetërore ndaj të gjitha sfidave të momentit. Për këtë arsye, në vazhdim Instituti dëshiron të theksoj për publikun disa nga këto procese kyçe:

Kuvendi është plotësisht jofunksional dhe një sërë ligjesh, disa prej të cilave janë thelbësore për mirëqenien e qytetarëve gjatë pandemisë, mbeten të bllokuara. Për shkak të mungesës së dialogut politik, Kuvendi bllokohet sa herë që shumica nuk mund të sigurojë kuorum ose kur për ndonjë ligj propozohen mijra amendamente. Kjo shkatërron reputacionin e institucionit i cili ka  përgjegjësi të madhe në menaxhimin e krizës dhe në kontrollimin e ekzekutivit. Prandaj, Instituti konsideron se janë të nevojshme hapat e mëposhtme: Duhet të vendosen kufizime në rregullatoren Kuvendore pët të krijuar ekuilibër midis mundësisë së përdorimit të mjeteve për të parandaluar legjislacionin (p.sh. filibustering) dhe funksionalitetit të procesit legjislativ; në të njëjtën kohë, është e nevojshme të forcohet kontrolli i ligjeve të miratuara nën “flamurin Evropian” dhe me procedurë të shkurtuar. Në kushte pandemie, duhet të mundësohet onlajn (përmes internetit) puna e deputetëve, si në shumicën e parlamenteve në botë, në mënyrë që të mbrohen si deputetët ashtu edhe shërbimi parlamentar, por edhe të ruhet vazhdimësia e punës së Kuvendit. Sipas sondazhit vjetor për punën e Kuvendit, kjo masë mbështetet nga shumica e qytetarëve dhe duhet të hyn në fuqi sa më shpejt që të jetë e mundur. Kushtetuta e lejon këtë mundësi përmes formulimit “prani” pa hyrë në detaje se për çfarë pranie bëhet fjalë, ndërsa qëllimi është që të kemi institucion funksional, e jo justifikime për bllokimin e tij. Praktika e bllokimit të seancave për shkak të mosmarrëveshjes me shumicën parlamentare duhet të marrë fund. Precedenti i fundit i bllokimit të plotë jo vetëm të një, por të të gjitha ligjeve për shkak të mos miratimit të një propozimi të vetëm ligjor është një akt i papranueshëm që shkon drejtpërdrejt kundër shtetit dhe interesit publik.

Dialogu politik për zgjidhjen e krizave duhet kryesisht të zhvillohet në Kuvend si shtëpi e përfaqësuesve. Takimet e lidershipit janë format jo-transparent për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike. Për më tepër, ato e delegjitimojnë Kuvendin dhe mohojnë rolin e kujdestarit të sovranitetit të çdo qytetari. Kjo praktikë është më së paku e dëshirueshme në drejtim të demokratizimit të shoqërisë sonë.

Regjistrimi është operacion statistikor jashtëzakonisht i rëndësishëm, nga i cili varet zhvillimi shoqëror. Pas 20 vjetësh, vendi ynë nuk ka luksin të planifikojë zhvillimin e tij në bazë të vlerësimeve të lira, por mbi treguesit statistikorë objektivë. Prandaj, implementimi i tij duhet të jetë prioritet. Sidoqoftë, mungesa e mbështetjes unanime nga të gjithë aktorët politikë, thirrjet për bojkot si dhe etnizimi i procesit nga zyrtarë të lartë shtetërorë krijojnë kontekst destabilizues. Proces i diskutueshëm dhe i njëanshëm pa besim të gjerë qytetar jo vetëm që do të krijojë bazën për politika të papërshtatshme, por do ta shtyjë më tej shoqërinë në një vorbull të rivaliteteve ndëretnike dhe intra-etnike. Ky skenar mund të godasë në mënyrë të pakthyeshme kohezionin shoqëror, duke rrezikuar përfitimet e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Aktorët politikë duhet të përmbushin disa nga rezervat që u shprehën në lidhje me regjistrimin dhe të ndalojnë llogaritjet etnike për të, si dhe thirrjet për bojkot. Maqedonia e Veriut duhet të implementoj regjistrim që do të mbështetet nga të gjitha palët edhe nëse kosto e kësaj është shtyrja e implementimit të tij për disa muaj.

Përveç zbatimit të reformave të planifikuara për të vendosur standarde evropiane në vend, Maqedonia e Veriut duhet të krijoj pozicion të harmonizuar shtetëror drejt sfidave për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Kjo kërkon gadishmëri shtetërore për dy çështje kyçe. Së pari, negociatat me Bullgarinë duhet të kryhen brenda kornizës së Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë dhe Miqësisë, por ekskluzivisht jashtë kornizës negociuese me BE-në dhe me konsensus shtetëror mbi mospranimin e interpretimit të njëanshëm të rrënjëve historike Bullgare të identitetit maqedonas. Nga ana tjetër, struktura nacionale për negociata me BE-në duhet t’i përshtatet Metodologjisë së re të Negociatave dhe të drejtohet nga ekip i spikatur dhe profesional, në vend të kuadrove partiake.

Qeveria duhet t’i trajtojë të dyja çështjet me seriozitet, përkushtim dhe urgjencë, duke u konsultuar me partitë politike të përfaqësuara në Kuvend, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe komunitetin shkencor. Për më tepër, qeveria duhet të sigurojë që këto dy çështje të rëndësishme të mbesin të imune ndaj partizimi gjatë procesit të negociatave për kyçje në BE.

Duke pasur parasysh mbivendosjen e të gjitha këtyre proceseve kritike, në moment shumë specifik të pandemisë botërore, Instituti për Demokraci u bën apel aktorëve politikë të tejkalojnë paragjykimet, suetën dhe interesat e tyre të deklaruara etnike dhe partiake në interes të vendit tonë dhe qytetarëve të tij.

Pandemia na ka mësuar se politikëbërja e përgjegjshme nuk mund të lihet për të ardhmen, sepse çmimi është i lartë dhe ne e paguajmë atë menjëherë. Bëjmë thirrje për përgjegjësi dhe bashkim si kurrë më parë – një opozitë konstruktive dhe një qeveri e përgjegjshme. Nëse në konstelacionin aktual të marrëdhënieve nuk është i mundur konsensusi, ai përfundimisht mund të arrihet përmes një koalicioni të gjerë në mes të të gjitha palëve në Kuvend, edhe pse të vetëdijshëm për rrezikun e dështimit të tij. Uniteti në këtë krizë është thelbësor, përndryshe zvarritja e kësaj gjendje do të krijojë dëme të vështira për tu riparuar.

Поврзани објави