Lidhja e marrëveshjeve të drejtpërdrejta për projekte infrastrukturore kapitale, pa ankand publik, rrit rrezikun për korrupsion.  I tillë ishte edhe marrëveshja e qeverisë së atëhershme me kompaninë kineze “Sinohidro” për ndërtimin e autostradave Milladinovci – Shtip dhe Kërçovë – Ohër.  Por edhe përskaj atij rreziku, kreditë të këtilla kinse të lira dhe të shpejta janë tërheqëse për politikanët e Ballkanit Perëndimor.

Mbi 10 milion euro për një kilometër autostradë, në pajtim me projeksionet aktuale.  Shumë e cila me gjasë mund të rritet më tej.  Aq do t’i kushtojë qytetarët autostrada Kërçovë – Ohër, projekt i cili përpos që vonon 3 vjet, u bë pothuajse dyfish më i shtrenjtë nga çmimi fillestar, ndërsa mbi të njëjtin hije hodhi procesi gjyqësor i iniciuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion.

Publikimi i bisedave të përgjuara në vitin 2015, nga opozita e atëhershme, zbuluan ekzistimin e dyshimit për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, pas çka ishte ngritur akuzë.  Prokuroria Speciale Publike e hapi lëndën “Trajektorja” kundër katër personave zyrtare, funksionarë të lartë qeveritarë dhe njoftoi se ekziston dyshim i bazuar se buxheti është dëmtuar për 155.117.172 Epilog juridik për procesin gjyqësor, ende nuk ka.

Autostrada filloi të ndërtohet më 22 shkurt 2014. Kredia për këtë investim kapital u huazua nga banka kineze “Eskim” dhe shteti duhet ta kthejë për 20 vjet.  Në tetor të vitit 2013, Kuvendi aprovoi kredinë, ndërsa në nëntor u nënshkrua marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kompanisë kineze.

Qeveria e atëhershme, premtoi se autostrada e re do të jetë gati për 4 vjet, në vitin 2018, por në vitin 2020 në këtë aks rrugor nuk janë përfunduar as gjysma e punimeve.  Realizuesi kinez “Sinohidro” tani ka afat deri më 30 qershor të vitit 2021 të përfundojë ndërtimin e autostradës.  Kilometrat e parë të autostradës ndërmjet Vrbjani dhe Ohrit, është paralajmëruar se do të lëshohen në përdorim këtë vit.

Projekti fillestar pësoi ndryshime për shkak të mos përputhjes së trasesë së projektuar dhe asaj të realizuar, aktivitetet ndërtimore u ndërprenë, ndërsa koston për këtë e paguajnë qytetarët.  Qeveritarët thonë se realizimi i përgjithshëm i projektit tani është diçka mbi 50%.

“Në pajtim me projektin themelor realizimi është 83%, por ai nuk është funksional.  Kësaj, kur do t’i shtohen të gjitha punët shtesë që duhet të realizohen, atëherë realizimi i përgjithshëm është 56%, thotë Zoran Kitanov, Drejtor i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore.

U paralajmërua se autostrada e gjatë 57 kilometra do të jetë me kosto prej 374 milion euro por çmim me anekset plotësuese mbi marrëveshjen fillestare deri tani ka arritur pothuajse 600 milion euro.