Në Ballkanin Perëndimor, qytetarët që kërkojnë përfitime nga partitë politike janë gati gjashtë herë më të prirur të jenë nën trysni për shkëmbim të votës së tyre për para/ndere në raport me qytetarët që nuk kërkojnë ndihmë. Ky fakt është bërë i dukur në hulumtimin e projektit INFORM. Raporti, “Jeta joformale e partive politike në shoqëritë e Ballkanit Perëndimor” studjon strategjitë e partive politike për mobilizim të elektoratit të bazuara në praktika klienteliste, të cilat mund  të shohim që ndryshojnë në vendet e rajonit. Të gjeturat e raportit bazohen në të dhënat e hulumtimit shumë-shtetëror të realizuar në muajin maj dhe qershor, 2016 (N=6040 përgjatë Ballkanit Perëndimor), intervista gjysëm të struktururara, hulumtimin etnografik dhe arkivor Rezultatet e hulumtimit sugjerojnë që një nga pesë të intervistuarit në Mal të Zi (23%) dhe Shqipëri (21%) kanë raportuar të kenë pasë ofertë për para apo ndere tjera në këmbim të votës. Shënimet nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova janë 15% përkatësisht 13%, 8% në Serbi dhe 7% në Maqedoni.

graf-1

Për më shumë, të gjeturat e hulumtimit sugjerojnë se qytetarët poashtu pëfshihen në ndërtimin e marrëdhënieve me partitë politike dhe zyrtarët e tyre për të zgjedhë probleme personale dhe “për të kryer punë” (kërkim i ndereve). Të pyetur nëse kanë kontaktuar për ndihmë ndonjë zyrtar partiak, përqindja më e lartë e përgjigjeve afirmative është në Maqedoni (14%) dhe Mal të Zi (13%), pasuar nga respondentët në Bosnjë dhe Hercegovinë (10%), Kosovë (8%), dhe Serbi (7%); derisa shkalla më e ulët është shënuar në Shqipëri (5%) (Grafikoni 2).

graf2

Bazuar në të dhënat e hulumtimit, ne demonstrojmë se kërkimi i ndereve nga njëra anë, dhe ofrimi i tyre nga partitë politike, në anën tjetër janë të ndërthurura në mënyrë të konsiderueshme. Në Kosovë, 11 herë janë gjasat më të mëdhaja që kërkuesit e ndereve do të kyçen në transaksione klienteliste, 9,4 herë në Shqipëri, 7 herë në Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe 6,3 herë në Maqedoni. Edhe pse me gjasa më të ulëta në rajon, gjasa që kërkuesit e ndereve do të kyçen në transakcione klienteliste janë prap në nivel të lartë edhe në Serbi (3,8 herë) dhe Mal të Zi (3,3 herë). Në nivel rajonal, kërkuesit e përfitimeve kanë 5.6 herë gjasë të pjesëmarrjes në shkëmbime klienteliste në krahasim me jo kërkuesit e përfitimeve.

Këto të dhëna sugjerojnë që klientelizmi shtrihet gjerë në shoqëritë e Ballkanit Perëdimor dhe i njëjti ka ndikim të dukshëm në rezultatet e zgjedhjeve. Partitë politike ofrojnë para dhe ndere në këmbim të votës, por edhe qytetarët i’u drejtohen partive politike për ndihmë në rast nevoje. Qytetarët poashtu konsiderojnë se punësimi është shpesh i ndërlidhur me përdorimin e lidhjeve joformale, dhënies së dhuratave, ndereve dhe ryshfetit, dhe janë skeptikë për prezencën e punësimit të bazuar në meritë. Perceptimet se praktikat klienteliste janë të përhapura sugjerojnë që qytatarët në shoqëritë e Ballkanit Perëndimor i shohin si mënyrë e zakonshme/normale për të kryer punë.

Raporti është pjesë e projektit EU Horizon 2020 ‘Closing the gap between formal and informal institutions in the Balkans’ (INFORM). Projekti studjon ndërveprimin në mes të institucioneve formale dhe joformale në shoqëritë e Ballkanit Perëndimor në fushat e politikës, ekonomisë, dhe jetës së përditshme, për të gjurmuar ndikimin e këtyre institucioneve në implementimin e rregullave dhe rregullativave të BE-së, si dhe për të prodhuar hulmumtim origjinal dhe rekomandime të politikave. Projekti implementohet nga konsorcium ndërkombëtar në udhëhqje të Shkollës për Studime Sllavonike dhe Europiane — School of Slavonic and East European Studies (SSEES), në University College London (UCL).

Raporti i plotë gjendet në: https://goo.gl/XvUsjQ