Raporti tregon nivel relativisht të ulët të cilësisë së debatit në Kuvend në këtë mandat dhe konfirmon përfundimin se ka vend për përmirësim të konsiderueshëm. Në shkallën nga 1 – më e ulëta në 10 – më e larta, nota mesatare për cilësinë e debatit në Kuvend në gjysmën e parë të vitit 2023 është 5,6.
Në 40% të diskutimeve të analizuara, pjesëmarrësit nuk kishin argumente, ndërsa në 49% të diskutimeve të analizuara kishin argumentim të dobët, përkatësisht folësit ofruan arsyetim të pozicioneve të tyre, që nuk është i mjaftueshëm për tu konsideruar si një argument i plotë. Niveli i argumentimit shënoi një përmirësim të lehtë në krahasim me periudhën e mëparshme të monitorimit janar – qershor 2023.
Në lidhje me atë se si deputetët i përgjigjen argumenteve të bëra nga folës të tjerë, monitorimi vëren se vetëm në 11% të fjalimeve të tyre, deputetët i kanë adresuar në mënyrë përkatëse argumentet, përkatësisht deputeti / deputetja drejtpërdrejtë i është përgjigjur argumenteve të cilat paraprakisht I ka adresuar pjesëmarrës tjetër në diskutim. Krahasuar me periudhën e mëparshme të monitorimit (janar – qershor 2023), kur vetëm 5% e diskutimeve regjistruan adresimin adekuat të argumenteve, mund të përfundohet një rritje e caktuar në këtë fushë.
Nga korriku deri në dhjetor 2023 është monitoruar shqyrtimi i 10 raporteve nga trupat e pavarura dhe rregullatore të dorëzuara në Kuvend. Për gjashtë raporte nuk u diskutua në seancat plenare dhe mbledhjet e komisioneve gjatë kësaj periudhe raportuese. Për një raport, diskutimi ishte dukshëm i shkurtër dhe konsistonte në tre diskutues. Për tre raportet e tjera nga organet e pavarura dhe rregullatore, deputetët zhvilluan një diskutim në komision dhe seanca plenare dhe ato iu nënshtruan një niveli të caktuar kontrolli.
Raporti konfirmon edhe vëmendjen vazhdimisht të ulët të deputetëve për të drejtat e grupeve të margjinalizuara, gjatë të gjitha periudhave të monitorimit. Është vërejtur se deputetët në pothuajse 80% të diskutimeve të tyre, nuk flasin në lidhje me të drejtat e grupeve të margjinalizuara, përveç nëse diskutohet specifikisht për ligj ose temë të caktuar në rendin e ditës në lidhje me të drejtat e tyre. Megjithëse deputetët në përgjithësi rrallë u drejtohen të drejtave të grupeve të margjinalizuara dhe komuniteteve, deputetet në masë të madhe u referohen këtyre komuniteteve për dallim nga kolegët e tyre deputetë.
KUVENDI NËN THJERRËZ: RAPORT NGA MONITORIMI I CILËSISË SË DEBATIT NË KUVEND (KORRIK – DHJETOR 2023)