Në periudhën shkurt – prill 2023, Instituti për Demokraci “Societas Civilis” – Shkup, në kuadër të Programit për Mbështetje Parlamentare (PPP), realizoi studim të kombinuar me një anketë në terren dhe nëntë fokus grupe për të hulumtuar më mirë perceptimin publik të punës së Kuvendit dhe partive politike, cilësinë e jetës, çështjet politike dhe besimin në Maqedoninë e Veriut.
Anketa në terren e kryer në vitin 2023 tregon se perceptimi i qytetarëve për punën e Kuvendit në përgjithësi është në përputhje me opinionin publik të shprehur në katër vitet e fundit. Qëndrime të tilla janë pothuajse të pandryshuara në lidhje me shumicën e çështjeve në fushën e funksioneve të Kuvendit, hapjes së tij ndaj publikut, punës së deputetëve dhe reformave parlamentare. Në shkallën 1 – më keq, deri në 5 – më mirë, në vitin 2023 qytetarët e vlerësuan punën e Kuvendit me notën mesatare 2,2 dhe shënon një rënie të lehtë në shkallën, krahasuar me katër vitet e fundit.
INFORMIMI PËR PUNËN E KUVENDIT
Pjesa mbizotëruese e qytetarëve besojnë se Kuvendi ka rol të rëndësishëm në jetën politike të vendit, por më shumë se gjysma e të anketuarve nuk janë të njohur me atë që është punuar në Kuvend gjatë periudhës së kaluar. Si më karakteristike për punën e kësaj përbërjeje parlamentare, shumica e qytetarëve të anketuar veçuan Propozim – ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pagën minimale dhe informacion për përmbajtjen e Propozim Kornizës negociuese për negociatat aderuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, të propozuar nga kryesimi i Francës me Këshillin e Bashkimit Evropian, më 30 qershor 2022. Televizioni mbetet kanali më i popullarizuar për informimin e qytetarëve kur bëhet fjalë për punën e Kuvendit, ndërsa kanali i Kuvendit dhe ueb- faqja e Kuvendit, si mjete zyrtare për informimin e Kuvendit, mbeten pak të përdorura.
KONTROLLI DHE MBIKËQYRJA E KUVENDIT MBI PUSHTETIN EKZEKUTIV
Perceptimi i shumicës së qytetarëve është se Kuvendi nuk e përdor plotësisht kompetencën e tij kushtetuese për të kontrolluar Qeverinë, përkatësisht 27% e të anketuarve besojnë se Qeveria ka kontroll të plotë mbi Kuvendin. Përveç kësaj, gati gjysma (46%) e të anketuarve besojnë se Kuvendi rrit korrupsionin, në vend të efektit të kundërt. Duke pasur parasysh pyetjet e deputetëve si një nga mjetet e Kuvendit për mbikëqyrjen mbi pushtetin ekzekutiv, pikëpamjet e qytetarëve janë të ndara nëse ato përdoren në mënyrë përkatëse, apo shërbejnë për kritikë ose reklamim.
FUNKSIONET E KUVENDIT
Edhe pse shumica e qytetarëve kanë perceptim se deputetët kanë ndikim mbi cilësinë e ligjeve, përsëri ata nuk janë të kënaqur me cilësinë e tyre dhe mendojnë se ato ndryshohen shpesh. Miratimi i ligjeve sa më cilësore, mbikëqyrja e shpenzimeve buxhetore dhe kujdesi për zbatimin e ligjeve dhe politikave, janë theksuar si funksionet më të rëndësishme të Kuvendit nga shumica e qytetarëve. Megjithatë, ekzekutimi i tyre nga Kuvendi vlerësohet si i pakënaqshëm nga shumica e qytetarëve.
PUBLIKU NË PUNËN E KUVENDIT
Lidhur me hapjen e Kuvendit për publikun, shumica e të anketuarve besojnë se Kuvendi është plotësisht ose pjesërisht i mbyllur për publikun, dhe deputetët nuk marrin parasysh vërejtjet e publikut gjatë hartimit të ligjeve. Shumica e qytetarëve gjithashtu mendojnë se deputetët nga njësitë e tyre zgjedhore nuk janë në dispozicion për takime me qytetarët dhe nuk i informojnë mjaftueshëm qytetarët për punën e tyre, ndërsa nuk janë të njohur as me zyrat e deputetëve. Qytetarët gjithashtu vërejnë se deputetët nuk adresojnë mjaftueshëm problemet e komunave dhe bashkësive lokale. Për dallim nga viti i kaluar, qytetarët janë më pak të njohur se cilët janë deputetët nga njësitë e tyre zgjedhore. Pjesa mbizotëruese e qytetarëve deklaroi se ata nuk ishin informuar se si mund të merrnin pjesë në punën e Kuvendit, gjë që rezultoi me faktin se numër dukshëm i vogël i të anketuarve u përpoqën të merrnin pjesë në punën e Kuvendit.
KË PËRFAQËSOJNË DEPUTETËT NË KUVEND
Të anketuarit janë relativisht të ndarë rreth përshtypjes se në çfarë mase deputetët përfaqësojnë interesat e qytetarëve në Kuvend. Nga ana tjetër, shumica e tyre besojnë se deputetët gjithmonë përfaqësojnë interesat e tyre personale, interesat e partive politike, si dhe biznes interesat. Pjesa dominuese e qytetarëve të anketuar gjithashtu mendojnë se deputetët në një farë mase janë të varur nga vullneti i liderëve të partive politike nga të cilat vijnë.
DEBATI PARLAMENTAR
Perceptimi i shumicës së qytetarëve është se shumica e deputetëve nuk janë të gatshëm të marrin vendime në emër të qytetarëve. Për më tepër, gjysma mendojnë se fjalimet e deputetëve janë të argumentuara pak ose aspak të argumentuara. Qytetarët e anketuar, gjithashtu, besojnë se shoqatat e qytetarëve duhet të mundësohen të përfshihen më shumë në punën e Kuvendit. Sa i përket marrëdhënies mes deputetëve, shumica e qytetarëve e cilësuan atë si armiqësore dhe konkurruese. Po ashtu, qytetarët kanë përshtypjen se deputetët në seanca shpesh ose gjithmonë përdorin një fjalim me të cilin nënçmojnë dhe degradojnë kolegët e tyre nga partitë tjera politike. Në drejtim të asaj se sa secila prej partive parlamentare kontribuon drejt punës më cilësore të Kuvendit, perceptimi i qytetarëve është negativ (nuk kontribuon plotësisht ose pjesërisht) në lidhje me të gjitha koalicionet dhe partitë.
REFORMA
Për sa i përket proceseve reformuese në vend, qytetarët janë përgjithësisht të ndarë në përshtypjen e gatishmërisë së Kuvendit për të zbatuar reforma që do të normalizojnë situatën politike. Shumica e qytetarëve nuk mbështesin bojkotin e punës së Kuvendit ose zvarritjen dhe prolongimin e debatit në mënyrë që asnjë ligj ose vendim të mos miratohet si mënyra korrekte për shprehjen e pikëpamjeve politike në punën e Kuvendit. Qytetarët pajtohen që krizat politike duhet të zgjidhen në Kuvend, në vend të takimeve të mbyllura midis liderëve të partive politike. Ekziston konfuzion i përgjithshëm midis të anketuarve në lidhje me përfitimet nga reforme zgjedhore, si vendosja e listave të hapura ose një njësi e vetme zgjedhore. Shumica e të anketuarve besojnë se ndryshimi i modelit zgjedhor do të rezultojë në reduktimin e varësisë së deputetëve nga liderët e partive. Të anketuarit nuk identifikuan grup dominues të margjinalizuar, interesat e të cilit më shumë i përfaqësojnë deputetët.
KONTEKSTI POLITIK I HULUMTIMIT
Dominon numri i qytetarëve që mendojnë se jeta në vend po shkon në drejtim të gabuar krahasuar me ata që mendojnë të kundërtën. Optimistët më të mëdhenj janë banorët e rajonit jugperëndimor, ku më shumë se gjysma u përgjigjën se jeta po lëviz në drejtimin e duhur. Shumica e përgjigjeve negative, përkatësisht, se jeta po lëviz në drejtim të gabuar u dhanë nga banorët e Rajonit të Vardarit, Rajonit Juglindor, Pellagonisë, Pollogut dhe Rajonit Verilindor. Në shkallën nga 1 – më e ulëta, në 10 – më e larta, qytetarët me notën më të lartë të besimit e kanë vlerësuar Presidentin e vendit – 3.6, pasuar nga Kuvendi me 3.4 dhe Qeverinë me 3.3. Vlerësimi më i ulët i besimit iu dha gjyqësorit me 2.7.