Instituti për Demokraci që nga qershori i vitit 2014 monitoron cilësinë e debatit në Kuvend dhe punën e Kuvendit në përgjithësi. Në periudhën korrik – dhjetor 2021, monitorimi u fokusua në diskutime lidhur me pikat e rendit të ditës të fokusuara në fushën e sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe demokracisë.
Raporti për këtë periudhë tregon një nivel relativisht të ulët të cilësisë së debatit në Kuvend dhe konfirmon konstatimin se ka vend për përmirësime të dukshme. Në shkallën nga 1 deri në 10 (1-më e ulëta, 10-më e larta), nota mesatare e cilësisë së debatit në Kuvend në gjysmën e dytë të vitit 2021 është 5.4, e cila krahasuar me periudhën e mëparshme të monitorimit është duke përkeqësuar në të gjitha parametrat. Nota mesatare për periudhën janar – qershor 2021 ishte 5.6.
Në përgjithësi vërehet një përkeqësim i nivelit të argumentimit nga pjesëmarrësit në diskutimin në Kuvend. Folësit në 52% të fjalimeve të tyre nuk kanë pasur argumente, ndërsa në 41% kanë argumentuar dobët. Një ose më shumë argumente shënohen në 7% të diskutimit.
Gjatë kësaj periudhe raportuese, në diskutimet e monitoruara është vërejtur ndryshim qëndrimi te 9 deputetë për shkak të argumentimit më të mirë të bashkëbiseduesve për pikën e rendit të ditës.
Roli mbikëqyrës i Kuvendit në periudhën korrik – dhjetor 2021 ka mbetur në plan të dytë. Gjatë kësaj periudhe është mbajtur vetëm një seancë e pyetjeve parlamentare, e cila ka kufizuar mundësinë e Kuvendit për kontroll dhe mbikëqyrje të ekzekutivit, ndërsa nuk është mbajtur asnjë seancë mbikëqyrëse.
Deputetët e opozitës ishin më aktivë në pjesëmarrje në diskutime, duke marrë pjesë në 62% të diskutimeve të monitoruara, ndërsa deputetët e shumicës morën pjesë në 38%. Në foltore më së shpeshti folën dhe më së shumti qëndruan në foltore deputetët Bojan Stojanoski dhe Panço Minov.
Raporti konfirmon gjithashtu vëmendjen e ulët të vazhdueshme të deputetëve ndaj të drejtave të grupeve të margjinalizuara, gjatë të gjitha periudhave të monitorimit. U vu re se deputetët në pothuajse 86.8% të diskutimeve të tyre, nuk trajtojnë të drejtat e grupeve të margjinalizuara, përveç rasteve kur diskutohet në mënyrë specifike për një ligj apo temë të caktuar në rendin e ditës që lidhet me të drejtat e tyre.
Kultura e debatit të deputetëve në Kuvendin tonë, e mbështetur me argumente të qarta dhe të qëndrueshme që mbështesin drejtpërdrejt qëndrimin e mbrojtur, është në një nivel relativisht të ulët. Kjo është arsyeja pse ky raport përfshin disa rekomandime, por edhe mjete të disponueshme që janë në dispozicion të deputetëve për të arritur një nivel më të lartë të cilësisë së debatit.
Raportin në shqip mund ta lexoni këtu:
Kuvendi nёn thjerrёz: Raport nga monitorimi i cilёsisё sё debatit nё Kuvend (korrik – dhjetor 2021)